Gjigandi amerikan i automjeteve General Motors ka arritur një marrëveshje në parim për të hyrë në Formula 1 në vitin 2026.
Automjeti i ri i General Motors në Formula 1 do të mbajë markën Cadillac.
General Motors dhe partneri i saj amerikan TWG Global, përmes një deklarate, thanë të hënën se do të formojnë një skuderi të re që do ta emërtojnë Cadillac, marka luksoze amerikane që zotërohet pikërisht nga General Motors.
Ndërsa motorin për makinën e re do ta ndërtojnë në një kohë më të vonë.
Formula 1 bëri të ditur se procesi i aplikimit do të ecë përpara dhe pritet që skuderia e re Cadillac t’i bashkohet F1 në vitin 2026.
BBC Sport ka mësuar nga burime në Formula 1 se General Motors dhe TWG Global do të paguajnë një tarifë prej 450 milionë Dollarë për të siguruar hyrjen në F1. Kjo shumë do të ndahet midis 10 skuderive ekzistuese.
Tashmë skuderia e Cadillac do të duhet që të blejë një motor për makinën e tyre nga një kompani ekzistuese, deri sa motori i tyre të jetë ndërtuar dhe të jetë gati sipas rregullave të F1, që pritet të ndodhë pas vitit 2028.
Cadillac është në bisedime me skuderitë ekzistuese se cilin motor do të përdorë. Favorit për momentin duket se është Ferrari. Skuderia italiane pritet që t’i japë motorin e tyre skuderisë së re Cadillac që do të debutojë në Formula 1 në vitin 2026.
/tvklan.al