Mbi 5 mijë punonjës policie dhe të gardës u angazhuan gjatë festimeve për ditën e Pashkëve. Në një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme sqaron se ky angazhim ishte në përgjigje të informacioneve të shërbimeve inteligjente vendase dhe të atyre partnere mbi mundësinë e kryerjes së akteve që cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike deri dhe në akte të karakterit terrorist.

“Sigurimi i jetës së çdo qytetari është qëllimi parësor i veprimtarisë së Policisë së Shtetit, si dhe i strukturave të tjera që merren me rendin dhe sigurinë publike. Ndaj, dhe në kohën kur qytetarët tanë festonin Ditën e Pashkëve, mbi 5 mijë punonjës të strukturave të policisë dhe gardës kaluan gjatë 48 orëve të fundit në gjendje gadishmërie të përforcuar, dhe me profesionalizëm dhe përkushtim realizuan me sukses mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve fetare të zhvilluara, duke garantuar kështu jetën e qytetarëve dhe sigurinë në vend”, theksohet në njoftim.

Më tej në deklaratë ngrihet shqetësimi se të gjitha situatat e konfliktit politik mund të shfrytëzohen për të krijuar destabilitet në vend e më gjerë. për këtë arsye MPB kërkon nga qytetarët që të raportojnë çdo dyshim që mund të kenë në lidhje me sigurinë.

Është me shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë se situatat e konfliktit politik në një vend si Shqipëria, edhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale, mundet të shfrytëzohen lehtësisht nga elementë të caktuar për të kryer akte kriminale, destabiliteti deri edhe terroriste. Ndaj inkurajojmë fort çdo qytetar të ndershëm që për hir të interesit të tyre dhe të familjeve të tyre të raportojnë çdo fakt apo të dhënë që ngjall dyshime në lidhje me rendin dhe sigurinë publike

“.

Më tej, në njoftim theksohet se këto masa vijnë në një kohë kur policia është angazhuar nëpër operacione të përditshme kundër kanabisit apo çdo lloj paligjshmërie tjetër.

Lidhur me këtë të fundit theksohet se, “

nuk do të ndalohet përpjekja jonë për të asgjësuar çdo rrënjë kanabisi dhe deri sa të vendosen nën përgjegjësi sipas ligjit çdo person, përfshi këtu edhe punonjës policie të cilët ndihmojnë apo më keq akoma janë pjesë e strukturave kriminale të trafikut të drogës. Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, apo edhe i çdo lloj tjetër droge, jo vetëm që nuk sjell mirëqenie ekonomike, por përkundrazi kriminalizon ekonominë, kërcënon rëndë sigurinë publike, moralin shoqëror dhe nxit kaos e destabilitet politik. Ndaj duke kuptuar shumë mirë këtë, jemi të vendosur për të vazhduar pa hezitim luftën kundër këtij fenomeni

“./tvklan.al