Mbërritja e refugjatëve nga Kukësi në Lezhë ka vazhduar deri në orët e vona të natës së mbrëmshme. Kanë qënë 22 furgona që kanë sjellë në kampin e Shëngjinit rreth 230 të ardhur nga Kosova. Organet e Pushtetit Vendor kishin marrë masat paraprakisht për sistemimin dhe ushqimin e të ardhurve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe pleq.
Shumë familjarë janë paraqitur për të marrë në shtëpitë e tyre të ardhurit ndërsa të tjerë kanë kontribuar me mallra dhe sende të ndryshme ushqimore. Disa prej tyre nuk kanë informacion për familjarët ndërsa shumë prej tyre kanë parë me sytë e tyre se si cetnikët kanë vrarë e masakruar pjesëtarët e familjes.
Një e ardhur nga Kosova rrëfen: “Na kanë hyrë në shtëpi me 30 ushtarë, kanë thy çka kanë pasë përpara. Femijën ma kanë gjuajtur në oborr. Na kanë thanë dilni jashtë shkoni tek vëllezërit shqiptarë në Shqipëri. Këtu s’ka vend për ju. Ju jeni shqiptarë, këtu është Serbi. Shkoni tek Solana lypini të drejtat e juaja. Dilni jashtë sa më parë s’keni të drejtë asnjë gjë me marrë çka është e Serbisë. Fëmijët mi kanë çu në drejtim të Malit të Zi neve na kanë çu si kafshë të egra nëpër kamiona. Tanë rrugës kemi pa masakra, djem të rinj të masakrum, nëpër livadhe të gjuajtur, tu i mbledh me kamion, tu i gjujt”
.Në Spitalin e Lezhës janë marrë të gjitha masat. Furnitura të posaçme me medikamente kanë mbërritur, ndërkohë që për krejt të ardhurit është ngritur një shëndetësor i veçantë./tvklan.al
Gazetar : Aleksandër Çipa