Ne përpjekje për zgjidhjen e situatës politike mbërriti ne Tiranë komitetin presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar nga presidenti i këtij institucioni, Mevlyt Cavushollu.
Delegacioni u takua fillimisht me presidentin e republikës, Bamir Topi. Kryetari i shtetit vlerësoi vullnetin e palëve për arritjen e një zgjidhje qe siç dhe u shpreh, do i shërbente jo vetëm përmirësimit të klimës politike në vend, por dhe konsolidimit të demokracisë si dhe interesave madhorë të qytetarëve shqiptarë.
Zgjidhja, theksoi presidenti Topi do te jete fryt i vënies ne funksion te mekanizmave kushtetues dhe institucionale, një logjike qe rrjedh dhe nga rezoluta e miratuar nga vete asambleja e KiE, referenca kryesore e diskutimeve gjate tryezës politikes mes dy partive te mëdha me presidentin Topi.
Ne takim u shkëmbyen mendime rreth mundësive të gjetjes së pikëtakimeve mes mazhorancës dhe opozitës si dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik.
Presidenti i asamblesë parlamentare te KiE, vlerësoi rolin pozitiv të presidentit Topi në thirrjen dhe mbajtjen e tryezës politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Delegacioni i zyrtareve te larte te Strasburgut u takua gjithashtu dhe me kryeministrin Sali Berisha.
Kreu i qeverise përcolli detaje te takimit ne mbledhjen e grupit kuvendor demokrat.
Z. Berisha e cilësoi bashkëbisedimin me përfaqësuesit e Komitetit Presidencial te Asamblesë Parlamentare së Këshillit të Evropës, te frytshëm.
Kryeministri tha se ripërsëriti qëndrimin e mazhorancës për trajtim me seriozitet të të gjitha çështjeve bilaterale qe lidhen me zgjedhjet.
Sali Berisha: “Unë mendoj se takimi ishte një takim shumë i hapur, i sinqertë, i frytshëm dhe shprehën në këtë takim disponibilitetin e plotë timin, qeverisë, të koalicionit qeveritar për të trajtuar në mënyrën më serioze, më konstruktive të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri.”
Ne takimin ne selinë qendrore te kuvendit, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi miratimin e rezolutës për Shqipërinë nga KiE, rikonfirmoi vlerësimin për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet si dhe deklaratën më të fundit të bërë nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares.
Zonja Topalli vlerësoi zgjedhjet e 28 Qershorit si procesin më te mire në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe një gur te rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Kryeparlamentarja tha se bojkoti është mohim i demokracisë, i konsideruar si i tillë nga të gjithë dokumentet e institucioneve ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit informoi zyrtaret e KiE për përpjekjet e saj institucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli.
Kryetarja e kuvendit informoi gjate takimit edhe për ofertën bërë opozitës nga mazhoranca për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili mund të funksionojë vetëm në zbatim të Kushtetutës, parimit të ndarjes së pushteteve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese./tvklan.al