Mbi 70 persona janë vrarë dhe 289 janë plagosur në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve al-Mawasi, në Khan Younis.
Mbrojtja Civile e Gazës bëri të ditur se zona e synuar ishte caktuar nga forcat izraelite si e ashtuquajtura e sigurtë. Dëshmitarët thonë se punëtorët e shpëtimit dhe ekipet shëndetësore në vendngjarje ishin të shënjestruar nga forcat izraelite. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan palestinezë që përpiqeshin të shpëtonin njerëzit nga nën rrënoja, me fëmijë dhe ndihmës mjekësorë mes të plagosurve.
Mes të tjerash një zyrtar izraelit ka konfirmuar se Mohammed Deif, kreu i krahut ushtarak të Hamasit, ishte objektivi i sulmit izraelit në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.
Negociatorët izraelitë dhe egjiptianë për armëpushimin janë në bisedime për një sistem të mbikqyrjes elektronike përgjatë kufirit midis Gazës dhe Egjiptit që mund të lejojë Izraelin të tërheqë trupat e tij nga zona nëse arrihet një armëpushim.
Çështja nëse forcat izraelite qëndrojnë në kufi është një nga çështjet që bllokojnë një marrëveshje të mundshme armëpushimi, sepse si grupi militant palestinez Hamasi ashtu edhe Egjipti, një ndërmjetës në bisedime, janë kundër që Izraeli të mbajë forcat e tij atje.
Një sistem mbikëqyrjeje, nëse palët në negociata bien dakord për detajet, mund të qartësojë rrugën për të rënë dakord për një armëpushim por një gjë të tillë kryeministri izraelit e ka cilësuar si lajm të pavërtetë.
Bisedimet janë duke u zhvilluar në Katar dhe Egjipt për një marrëveshje, të mbështetur nga Uashingtoni, që do të lejonte një pauzë në luftimet në Gaza, tashmë në muajin e 10-të, dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Ndërkaq Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se agjencia palestineze e OKB-së për refugjatët të vijojë punën në enklavë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar prej kohësh që kjo agjenci të largohet nga Gaza duke shqyrtuar edhe mundësinë që ajo të shpallet një organizatë terroriste.
Klan News