Veliaj: Ëndrra ime, të transformoj periferinë
Ëndrra e kryebashkiakut Erion Veliaj është që ta përmbyllë mandatin e tij duke transformuar edhe zonat rurale të Tiranës.
Këtë deklaroi Veliaj gjatë mbjelljes së 3000 fidanëve të rinj në Liqenin e Prushit.
“Siç kemi bërë gjithë ato transformime urbane në Tiranë, ëndrra ime është që ta mbyllim këtë punë në Bashkinë e Tiranës duke transformuar edhe pjesën rurale, me natyrën, pyjet dhe parqet. Nëse do arrijmë të tregojmë se kemi ndryshuar edhe natyrën, parqet, kemi mbjellë pemë, kemi shtuar pëllëmbët e gjelbërimit, ashtu siç kemi bërë transformimin e Tiranës, atëherë do të jetë misioni i përmbushur”, tha Veliaj.
Veliaj dha edhe një koment për ata që sipas tij flasin dhe nxjerrin vrer për çdo punë të bërë në qytet.
“Jeta jonë e përditshme ndahet në ata që bëjnë punë dhe në ata që, si bretkosat ‘kuak-kuak-kuak’, japin mendim për gjithçka. Është shumë kollaj të japësh mendim, por bretkosa nuk i mbolli këto pemë, e sado që ajo kënga thotë “ec bretkose, ec”, bretkosa nuk mbjell dot pemë. Bretkosa rri në Facebook dhe komenton, rri nëpër tavolina analistësh, zgjohet vonë, nuk ka ndonjë kontribut real, por vetëm merr nëpër gojë dynjanë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.
Për mirëmbajten e parqeve, kryebashkiaku kërkon angazhimin e çdo qytetari.
Tv Klan