Lajme Arkiva – TV Klan 2004

36 fidanë pemësh të reja iu shtuan parkut rreth Liqenit Artificial të Tiranës. Janë fidanë manjole, pishe, bliri, etj. Kjo u bë e mundur në saj të ndihmës financiare, të zyrës së OSBE-së në Tiranë, ku pemën e parë e mbolli zoti Osmo Lipponen.

Osmo Lipponen: “Ndërgjegjësimi për çështjet e mjedisit është diçka që i nevojitet këtij vendi. Keni një natyrë vërtetë të mrekullueshme, por në të njëjtën kohë keni edhe probleme të mëdha të mjedisit. Për OSBE dhe pikërisht çështjet e ekonomisë dhe të mjedisit janë të përfshira tashmë në agjendën e kësaj organizate”.

Realizimi i këtij projekti u bë i mundur nga klubi ekologjik, ndërkohë që për mbjelljen e fidanëve ndihmesë dhanë edhe fëmijët e shtëpisë së fëmijës dhe shkollave të ndryshme të kryeqytetit. Mbjellja e këtyre fidanëve u shtri në një sipërfaqe prej 900 metra katrorë, kështu që parku më i madh i gjelbëruar i kryeqytetit vazhdon të rigjenerohet me drurë të rinj./tvklan.al