Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me kërkesë të Partisë Demokratike, kryeministri Fatos Nano do të raportojë në komisionin e jashtëm për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryedemokrati Sali Berisha kritikoi praktikën që ndjek Nano, duke mos qenë nxënës i vëmendshëm ndaj ndërkombëtarëve.

Sali Berisha: “Kryeministri duhet të thirret urgjent, në komisionin e jashtëm të parlamentit dhe duhet t’i thuhet, se je nxënësi me i keq pas Sllobodan Millosheviçit në historinë e Europës, pas shembjes së perdes së hekurt. Teoria e Fatos Nanos është një teori reminishente, e cila nuk synon asgjë tjetër, veçse interesat e tij të ekonomisë kriminale, për t’i ruajtur dhe mbrojtur ato.”

Berisha paraqiti disa dokumente që faktojnë pronësi private për Kakomenë, duke hedhur poshtë argumentet e kryeministrit që zona e Kakomesë nuk ka pronarë. Deputetët demokratë, do t’i paraqesin këto dokumente në seancën e interpelancës me kreun e qeverisë.

Gjithashtu, në mbledhjen e grupit u vendos që nënkryetari demokrat Bamir Topi të negociojë me socialistët, për të gjetur në mënyrë konsensuale kryetarin e komisionit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kërkesë kjo e bërë nga BE./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari