Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot punën pas dekretimit të Presidentit Mejdani 2 ditë më parë. Fotaq Nano, Maksim Shimani, Mimoza Arapi janë anëtarët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Pandeli Varfi, Klement Zguri të zgjedhur nga Presidenti dhe Shahin Bistri i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë nuk është zgjedhur ende një anëtar i këtij komisioni i propozuar nga Parlamenti për shkak të mos paraqitjes së emrin të kandidatit nga Partia Demokratike.
6 anëtarët e pranishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sot në mbledhjen e parë të çelur nga Shahin Bistri, pas verifikimit të mandateve kanë kaluar në procedurën e zgjedhjes së kryetarit. Pas votimit të parë ku dolën në balotazh Fotaq Nano dhe Klement Zguri, procedura u përsërit dhe njëherë dhe shumicë absolute votash, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u zgjodh Fotaq Nano.
Menjëherë pas marrjes së detyrës ai u shpreh për gazetarët:
” Dua që me këtë rast të përcjell dhe një mesazh të gjithë votuesve shqiptarë që do të bëjmë të gjitha përpjekjet që procesi zgjedhor i ardhshëm të jetë sa më transparent, sa më i ndershëm, i barabartë për të gjitha partitë politike që do të regjistrohen në KQZ. Jemi pak me vonesë sepse për fakte që njihen publikisht ky komision po i vazhdon detyrat me vonesë për të përcaktur strukturën organizative të administratës së këtij komisioni për të ndjekur procesin e asistencës elektorale në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri të jenë në një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara.”/tvklan.al