Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po hyn në fazën përfundimtare. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, ndërsa theksoi se pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë që zbaton projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrik, u ra dakord se pas datës 30 maj e deri më 1 korrik në qendrat e aplikimit të kartave të identitetit prioritet do të kenë vetëm shtetasit pa pasaportë.

Sali Berisha: “Ne ramë dakord me kompaninë që, për të përjashtuar çdo lloj problematike, qoftë edhe minimale, me zgjedhësit që janë pa pasaportë për t’u pajis me letërnjoftime, kompania Sagem merr përsipër të ndërpresë të gjitha veprimet me personat e pajisur me pasaporta. Pra, ajo merr përsipër të ulë vëllimin e punës së saj.”

Sipas shefit të ekzekutivit numri i qytetarëve që mund të jenë ende pa pasaporta apo karta identiteti në bazë të kalkulimeve të bëra arrin në mbarë vendin në 100 mijë persona.

Sali Berisha: “Nga zgjedhësit pa pasaportë që nuk kanë aplikuar të jenë diku përafërsisht se qartë është e pamundur të dihet, por përafërsisht të jenë nga 60 maksimumi 100 mijë. Kapaciteti i instaluar i kompanisë, është për kohën që mbetet, është për rreth 400 mijë aplikime. Por, me qëllim që përparësi absolute dhe e vetme të jenë qytetarët pa pasaportë, do të ndërpriten aplikimet e tjera.”

Në funksion të këtij procesi, kryeministri i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe gjithë prefektëve të vendit që të ushtrojnë format më të rrepta të kontrollit mbi punonjësit e gjendjeve civile, të cilët nuk duhet të pajisin me kartë identiteti asnjë qytetar me pasaportë.

Sali Berisha: “Çdo thyerje e këtij vendimi do të përbëjë një  ndëshkim ligjor, qoftë për punonjësit e gjendjes civile, qoftë për punonjësit e prefekturës, të ngarkuar për kontrollin e tyre. Toleranca do të jetë zero. Kur kompania merr përsipër të zvogëlojë në përmasa të panjohura vëllimin e punës së saj, vetëm në interesin e procesit, atëherë zyrtarët e këtij vendi duhet të përgjigjen me gatishmërinë më të plotë”

Duke u ndalur në qëndrimin e opozitës, sipas së cilës ky proces është drejt dështimit Berisha komentoi:

Sali Berisha: “Opozita ka shqetësimet e veta. Ne e garantojmë atë për një proces tërësisht transparent. Opozita është e ftuar të studiojë kapacitetin ekzistues i cili është i jashtëzakonshëm.”

Sipas kryeministrit Berisha, qeveria është në prag të një realizimi të shkëlqyer të këtij projekti, dhe për ta çuar atë drejt finalizimit ai ftoi të gjithë qytetarët që nuk kanë aplikuar të mos humbin kohë dhe ata të tjerë që kanë aplikuar të drejtohen pranë qendrave për të tërhequr kartat e identitetit.

Mbledhja e qeverisë pason takimin e zhvilluar gjatë paradites me përfaqësues të kompanisë koncensionare Aleat, e cila u shpreh e gatshme të vërë në dispozicion të gjitha kapacitet teknike në pajisjen me karta identiteti vetëm për shtetasit që nuk zotërojnë pasaportë.

Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për alokimin e fondeve për dhënien e shpërblimit prej 5 mijë lekësh për fëmijët e porsalindur. Po kështu, kryeministri Berisha mbajti premtimin e bërë pak ditë më parë për dhurimin e një terreni sportiv ne Shkodër./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro