Aleanca e Veriut ashpërson gjuhën ndaj Rusisë, në një takim të jashtëzakonshëm ministrat e jashtëm kanë vendosur të tregohen më të rreptë ndaj Kremlinit. Pika më e nxehtë e mbledhjes e cila zgjati më se 6 orë ka qenë e ashtuquajtura pika 6, e cila kërkon ndërprerjen e marrëdhënieve me Rusinë.
Por gjatë një konference për shtyp sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha se marrëdhëniet me Rusinë nuk do të ndërpriten, por ato nuk mund të jenë kurrsesi si më parë. Shkak për këtë sipas tij janë bërë veprimet e Rusisë në Gjeorgji duke sulmuar një shtet të lirë siç e quajti Scheffer.
Ai theksoi se Këshilli i NATO-s ndaj Rusisë nuk mund të mblidhet deri në momentin kur Kremlini vendos të respektojë marrëveshjen e armëpushimit. Gjithçka varet nga veprimet e mëtejshme të Rusisë, i takon asaj të ndërmarrë veprime, jo NATO-s u shpreh Scheffer.
Në lidhje me Gjeorgjinë aleanca është treguar më se bujare duke ofruar ndihmën dhe solidaritetin e saj. Ministrat kanë vendosur krijimin e një komisioni të përbashkët NATO-Tbilis, i cili pritet të forcojë marrëdhëniet me Gjeorgjinë. Por edhe të konfirmojë mbështetjen pas sulmit nga Rusia.
Ndihma ndaj këtij shteti sipas Scheffer do të jetë si në rrugë diplomatike ashtu edhe në atë financiare, ku falë ekspertëve të cilët do të dërgohen në Gjeorgji do të ndihmojnë për ringritjen e saj.
Në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm thuhet se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktet e pazgjidhura dhe se konflikti i armatosur Rusi-Gjeorgji prek stabilitetin dhe sigurinë. I pyetur nëse ka ngjashmëri me mes Kosovës dhe Osetisë së jugut, Scheffer duke mos dashur të komentojë gjatë mohoi të ketë ndonjë element që i bën të ngjashëm këto dy vende.
Në takim morën pjesë dhe dy vendet kandidate, Shqipëria e cila u përfaqësua nga ministri i jashtëm Lulzim Basha dhe Kroacia./tvklan.al
Gazetare: Justina Ukaliaj