Reforma zgjedhore dhe çështja e Kakomesë ishin thelbi i debatit në mbledhjen e byrosë parlamentare ku për herë të parë u ulën dhe kryetarët e grupeve të reja parlamentare, Sabit Brokaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Maks Begeja nga Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar. Kreu republikan Mediu kërkoi që parlamenti të mbajë qëndrim mbi raportin e Bashkimit Evropian pa mbuluar punën e qeverisë.
Fatmir Mediu: “Autoriteti i Kuvendit të Shqipërisë të marrë një qëndrim të ri në mbështetje të procesit të integrimit, por edhe një mbështetje karshi qeverisë e cila nuk implementon proceset dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.”
Mediu kërkoi gjithashtu që kalendari dyjavor i punimeve të kuvendit të përfshijë dhe interpelancën e kërkuar me kryeministrin Nano mbi çështjen e Kakomesë për të cilën reagoi numri dy i qeverisë Dokle.
Namik Dokle: “Diskutimet për çështjen bëhen atje në interpelancë, ndaj atij, të cilin e ke kërkuar në interpelancë dhe nuk mund të fillojë interpelanca që këtu tani, se pastaj do ta kthejmë byronë parlamentare në parlament çka nuk është e drejtë.”
Kryetari i grupit parlamentar demokrat Bamir Topi kërkoi nga kryetari i Kuvendit që t’u tërheqë vëmendjen përfaqësuesve politikë për të përshpejtuar punën për ligjin e ri zgjedhor.
Bamir Topi: “Ka një tendencë për ta shtyrë, për ta futur në rrjedha kronike dhe pastaj për ta riakutizuar mbas zgjedhjeve, për të thënë që zgjedhjet vërtet bënë një progres, por vërtet pushteti mbetet në duar të pamerituara.”
Mbi kërkesën e pozitës për të paraqitur propozimet për këshillin mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, demokrati Topi tha se një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse mazhoranca do të garantojë poste për emrat e opozitës.” /tvklan.al