Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Byroja parlamentare ka vendosur, që projekti për zonat elektorale të votohet të mërkurën pasdite nga deputetët. Në këtë mënyrë i jepet kohë ndonjë kompromisi që mund të arrihet të mërkurën paradite në tryezën pozitë-opozitë. Byroja pranoi në parim propozimin e demokratit Gjana, për krijimin e komisionit parlamentar për listat e votuesve.
Sipas kryeparlamentarit Gjinushi, vetëm mendimet në kodin elektoral, do ta detyronin parlamentin të shtynte miratimin e hartës elektorale të mërkurën.
Skënder Gjinushi:- “Rindarja elektorale, mund të kthehej vetëm në qoftë se ka ndryshim të kodit elektoral. Kodi është shumë i qartë për ndarjen, ka kritere dhe po të krahasojmë raportin që ruhet në zonat në këtë ndarje të re me raportin që ka pasur në 96-97, do të shohim që vërtetë atëherë ka pasur një manipulim të tmerrshëm të zonave elektorale. Mbi të gjitha ligji elektoral është i tillë që nuk janë zonat që vendosin fatin e zgjedhjeve, sepse nuk është ligj puro mazhoritar, por është një ligj kryesisht proporcional”.
Edhe kryetari i mazhorancës parlamentare socialiste Arben Malaj, pas takimit me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Jemin Gjana, tha se miratimi i hartës elektorale, nuk mund të pengohet nga tryeza e partive./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame