Mazhoranca dhe opozita sërish nuk kanë rënë dakord në lidhje me projektligjin për gjykatën administrative, duke e zvarritur kështu për tetë muaj rresht draftin që kërkon 84 vota për të kaluar në parlament.

Ne mbledhjen e radhës të komisionit të ligjeve socialistët kërkuan më shumë kohë për të diskutuar në lidhje me propozimet e ekspertëve të EURALIUS, SIGMAS, USAID-it, atyre të KLD-së dhe propozimeve të bëra nga ekspertët e ministrisë së drejtësisë dhe të partisë Socialiste.

Pandeli Majo: “Konsensusi nuk është i nevojshëm, por është i domosdoshëm. Ekspertët tanë kanë kërkuar kohë deri në fund të javës, mendoj se parlamenti ka kohën e mjaftueshme për të diskutuar dhe për ta miratuar dhe javën që vjen pasi ekspertët të kenë mbyllur këtë histori ne ta kalojmë në komisionin e ligjeve.”

Ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj ndërsa vlerësoi variantin e përpunuar tha se në projektligj janë integruar pesë nga propozimet e bëra nga ekspertët e partisë Socialiste.

Enkelejd Alibeaj: “ Kanë qenë në maksimumin e tyre 5 çështje kryesore ku kishte debate, kishte alternativa të ndryshme për zgjedhje. I pari kishte të bënte më mënyrën e organizimit të gjykatave. Çështja e dytë kishte të bënte me hyrjen në fuqi të ligjit dhe ne jemi plotësisht dakord, ky ligj miratohet. Kërkesa tjetër kishte të bënte me përzgjedhjen e gjyqtarëve sipas kërkesës së KLD-së dhe ekspertizës së PS-së pra që të gjitha kërkesat e aspektit të ekspertizës të sjellë nga PS-ja janë pranuar.”

Për kryetarin e komisionit të ligjeve shtyrja në kohë për diskutim e projektligjit për gjykatën administrative është një veprim i qëllimtë nga deputetet e opozitës.

Ilir Rusmajli: “Kjo nuk është dinjitoze sepse në qoftë se nisemi për kompromis kërkojmë kompromisin, nuk kërkojmë sherrin. Ne do ti trajtojmë dhe ato që do nxjerrim të rejat. Siç kemi trajtuar deri tani gjithçka që ata kanë ngritur si problem apo si shqetësim. Tani kjo është ofertë kompromisi, në qoftë se juve thoni jo ne nuk fillojmë punën, praktikisht të kërkosh ti thuash shumicës në komision që ju jeni dele  ne dimë të manovrojmë.”

Pas debateve, komisioni i ligjeve ra dakord që propozimet e ekspertëve të diskutohen në seancën e së martës. Projektligji për gjykatën administrative synon të garantojë afate më të shpejta si dhe pritet të lehtësojë të gjitha procedurat e një çështjeje që i nënshtrohet gjykimit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro