Ekspertët nisin punën javën e ardhshme
Këshilli Politik, struktura e ngritur në bazë të marrëveshjes së mazhorancës me opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore, u mblodh pasditen e kësaj të Enjte por tashmë me një format më të zgjeruar.
10 përfaqësues, 5 të parlamentit dhe 5 të opozitës u ulën për të konstituar këtë këshillë dhe për të mandatuar 6 ekspertë të cilët do të hartojnë draftin e dakordësuar me amendimet në ligjin elektoral.
Përveç 2 ekspertëve të Komisionit të posaçëm Viktor Gumit dhe Ilir Rusmajlit, 2 përfaqësues të tjerë një i shumicës dhe një tjetër i opozitës parlamentare si dhe 2 të tjerë që priten të caktohen nga demokratët dhe aleatet e saj do të nisin punë fillim javën e ardhshme kur do t’i kërkohet zyrtarisht dhe ODIHR ekspertizë për ta asistuar gjithë procesin.
Pas takimit që zgjati më pak se 60 minuta Gjiknuri përsëriti rëndësinë që ka ardhja e demokratëve në tryezën e kompromisit.
Bylykbashi renditi dhe një herë të gjitha problematikat që duhet të adresohen në draftin që duhet të miratohet në Kuvend pa i bërë asnjë ndryshim siç parashikon marrëveshja.
“Ajo që ne bëmë të ditur, është që prioriteti i çështjeve sipas edhe OSBE është lufta kundër shit- blerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit, presionit mbi administratën, keqpërdorimi i policisë së Shtetit, manipulimit të listave, cenimi i sekretit apo lirisë së votës”.
Bashkëkryetarja demokrate që prej nisjes së reformës nuk ndryshon asnjë presje deklaratave të saj duke këmbëngulur për ndryshimin e sistemit.
Mësohet se jo të gjithë aleatet e demokratëve kanë qenë të kënaqur me rolin e Këshillit Politik. Mesa duket i paqartë për marrëveshjen që aleati i tij i madh ka bërë me socialistët, Fatmir Mediu ka kërkuar që kjo strukturë të ketë rol më aktiv duke pasur më shumë hapësira në propozim dhe vendimmarrje dhe jo thjeshtë të certifikojë draftin e hartuar nga ekspertët.
Tv Klan