Në Ministrinë e Brendshme u mbajt takimi i radhës së Task Forcës Qendrore, në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020.
Në mbledhje u diskutua mbi masat e ndërmarra, rezultatet dhe arritjet konkrete të institucioneve anëtare të TFQ-së. Fokus i këtij takimi krahas masave dhe aktiviteteve të kryera si pjesë e detyrimeve, ishin edhe paraqitja e problematikave të hasura, si dhe nevojat për kapacitete logjistike në përmbushje të detyrave të tyre.
Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda kërkoi bashkëpunim më të ngushtë dhe më intensiv gjatë kësaj periudhe, ndërmjet institucioneve qendrore pjesë e Task Forcës, për të shkëmbyer informacion për raste kultivimi ose trafikimi, si dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale.
Gjithashtu anëtarët theksuan domosdoshmërinë e një koordinimi edhe më të mirë me qëllim parandalimin në kohë dhe goditjen me efikasitet të çdo rasti të kultivimit të kanabisit.
Së shpejti, kontrolleve të territorit nga Policia e Shtetit dhe Inspektorateve të ndryshme, do t’i shtohen edhe monitorimi përmes fluturimeve ajrore, mundësuar nga projekti “Sancas” i financuar nga BE./tvklan.al