Prokuroria e Posaçme ka ngritur një Taskë Forcë si pjesë të planit të saj të masave në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 Maj.
Siç njofton SPAK, grupi hetimor Task Forcë do të përbëhet nga një strukturë qendrore dhe nga grupe hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore.
“Struktura Qendrore do të drejtohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës”, njoftoi SPAK.
Edhe sa i përket grupeve hetimore në terren, do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Ato do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Në planin e masave SPAK përcakton të bashkëpunojë edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, Policisë e Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Po ashtu është parashikuar të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i.
“Cilësojmë se: Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale.
Do të ngrihet një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhëna e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren”, tha SPAK.
“Prokuroria e Posaçme fton të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore dhe private, shoqërinë civile, mediat dhe publikun e gjerë që të angazhohen aktivisht në mbështetje të këtij procesi, duke kontribuar në zbatimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore. Denoncimet e dokumentuara dhe të bazuara në prova janë thelbësore për të zbuluar dhe ndjekur penalisht çdo akt kriminal që cënon integritetin e zgjedhjeve. Prokuroria e Posaçme garanton trajtim të shpejtë, profesional dhe të pavarur të çdo informacioni të marrë dhe fton publikun të përdorë kanalet zyrtare për denoncime, duke kontribuar kështu në një hetim efektiv dhe në kohë të veprave penale në kuadër të krimit zgjedhor në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme”, shton më tej SPAK.
Prokuroria e Posaçme njofton po ashtu se veprat penale në kuadër të krimeve zgjedhore nën juridiksionin e saj janë:
-Korrupsioni aktiv në zgjedhje ( Neni 328 i Kodit Penal);
-Korrupsioni pasiv në zgjedhje (Neni 328/b i Kodit Penal);
-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur (Neni 75/a germa (b) i Kodit të Procedurës Penale);
-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë si Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë̈, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendësministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë̈, dhe drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj (Neni 75/a germa (c) i Kodit të Procedurës Penale)./tvklan.al