Të paktën 370 persona kanë shkuar prej mëngjesit të së dielës në spitalin e Krujës, me simptoma helmimi. Këtë të martë të shtruarit janë të paktën 30, ndërsa numri i atyre që kanë shkuar për ndihmë mjekësore nga dje ka ardhur në rritje.

Qytetarët janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dhe dyshimet e para janë se ky helmim ka ardhur nga uji i pijshëm. Më të prekurit duken se janë fëmijët dhe të moshuarit. Simptomat janë thuajse të ngjashme për të gjithë pacientët: të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë.

Vetë qytetarët shprehin shqetësim për këtë situatë, ndërsa disa prej tyre tregojnë se në harkun e 48 orëve u është dashur të vijnë dy herë në spital, pasi fëmijët kanë shfaqur simptoma njëri pas tjetrit.

“Dje pak dhimbje barku dhe sot që kisha të vjella…”

“Goca me të vjella e temperaturë, ka tre ditë… Shih fëmija vogël 13 vjeçe me të vjella me bark gjithë natën. Uji thonë këta, spo dimë gjë. E gjithë Kruja po e vuan këtë pjesë”.

“Mbrëmë kam qenë me djalin, sot me vajzën. Nga uji, komplet nga uji”.

E njëjta situatë u bë nga dy ditë, e gjitha kjo nga uji. Dje kishim vajzën, sot çunin…”, tregojnë qytetarët.

Analizat e para nga Instituti i Shëndetit Publik, treguan se analizat e ujit të pijshëm ishin të pastra, por ato po ribëhen më thellësisht. Deri në daljen e rezultateve nga ISHP, uji i pijshëm për qytetin e Krujës është ndërprerë.  Për përgjigjen e analizave përfundimtare duhen rreth 72 orë.

Të gjitha institucionet janë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, ndërsa hetimet kanë nisur nga policia, prokuroria, si dhe ashtu edhe nga ekspertët e ISHP./tvklan.al