Prokuroria e Krujës ka reaguar zyrtarisht pas situatës në spital ku janë paraqitur me shenja helmimi një numër i madh banorësh i këtij qyteti. Njoftohet se prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.

Për të zbuluar shkaqet e helmimit, por edhe për të zbuluar përgjegjësit për këtë situatë, prokuroria njofton se është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko-ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Po ashtu po hetohen analizat fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës.

“Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës. Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, ndërkohë që shtohet se janë në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit.

Klan News raporton se prej së dielës e deri më sot në spital janë paraqitur 500 qytetarë, mes të cilëve edhe fëmijë. Ditën e djeshme në spital shkoi edhe ministrja Ogerta Manastirliu, e cila tha se po verifikohen të gjitha pistat ku mund të jenë helmuar qytetarët.

“Të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë edhe të bashkisë dhe policisë janë duke kryer të gjitha hetimet nga të gjitha pistat”, tha ministrja një ditë më parë.

Deputetët e PD-së kanë akuzuar qeverinë për tenderat e ujit. Ujësjellës Kanalizime Krujë ka thënë në një deklaratë se shkak i kontaminimit të ujit dyshohet të jenë bërë shirat e rrëmbyer të natës së të shtunës pasi nga analizat paraprake fiziko-kimike është vërejtur nivel i amoniakut mbi norma.

Për këtë shkak është vendosur ndërprerja furnizimit me ujë nga rrjeti./tvklan.al