Shqipëria arriti për të shtatën herë që prej vitit 2010, të sigurojë në tregjet ndërkombëtare një borxh, kësaj radhe në vlerën e 650 milionë Eurove me një afat maturimi 10-vjeçar.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili tha se operacioni për emetimin e Eurobondit kishte përfunduar me sukses, jo vetëm për vlerën e siguruar, por edhe për interesat e tij.

“Ky ishte emetimi më i suksesshëm ndonjëherë përsa i përket 3 gjërave: Së pari, interesit të investitorëve të huaj. Ofruan 4.3 herë më shumë se sa nevoja jonë dhe madje gjatë ditës, oferta vajti në 5.7 herë më shumë se sa nevoja gjë që bëri që të ulin normën e interesit për të larguar një pjesë të investitorëve. Ky mbulim është më i larti i regjistruar ndër vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që nga Tetori i vitit 2024. Së dyti, numri më i lartë i investitorëve me 159 të tillë të interesuar. Së treti, normë interesi më të ulët për Shqipërinë se sa për vende si Serbia apo Rumania për obligacione 10-vjeçare”, shprehet Rama.

Sipas kreut të qeverisë, mbyllja me sukses e këtij procesi tregon besimin që institucionet financiare botërore kanë te Shqipëria dhe ekonomia e saj.

“Besim tek Shqipëria, besim tek ekonomia dhe tek financat e Shqipërisë. Shqipërisë po i besojnë të gjithë përditë e më shumë në të gjitha drejtimet”, tha Rama.

Një mesazh e ka për qytetarët, të cilëve u kërkon të mos besojnë opozitën, e cila sipas tij në 11 Maj do të marrë edhe humbjen më të rëndë të historisë së saj.

“E di që këneta politiko-mediatike nuk do e japë fare hapësirën që përcjellë këtë lajm sepse po ju mban lidhur pas iluzioneve të bufit të kënetës. Në 11 Maj do të mbetet bashkë me zvarranikët dhe amfibët e tij në një vaki shembullore elektorale”, deklaroi Rama.

Ministria e Financave bëri të ditur se ky Eurobond u emetua me një kupon 4.75% dhe me një normë interesi 5%. Instrumenti ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në Shkurt 2035.

Tv Klan