Senatori John McCain do të prehet në Akademinë Detare të SHBA në Annapolis, Maryland, pas një ceremonie të vogël private.

Një manifestim me avionë ushtarakë u mbajt në nder të senatorit të ndjerë.

McCain u diplomua nga Akademia Detare në vitin 1958, më vonë shërbeu në Vietnam si pilot avioni luftarak. Familjes dhe miqve iu bashkuan ish-shokët e tij të shkollës dhe nënoficerët e marinës.

Ky ishte fundi i një jave memoriale për McCain, i cili vdiq më 25 Gusht, në moshën 81-vjeçare, si pasojë e kancerit në tru.

Të shtunën, personalitete nga spektri politik u mblodhën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit në nder të Senatorit të Arizonës, i cili ishte një nga politikanët më të rëndësishëm të Amerikës.

McCain do të prehet pranë ish shokut të klasës dhe mikut të tij, Admiralit Chuck Larson, i cili rezervoi katër pjesë toke në varrezat idilike për ata të dy dhe gratë e tyre para se të vdiste në vitin 2014.

“Chuck ka krahun e tij të djathtë pranë tashmë”, tha për CNN bashkëshortja e admiralit të ndjerë.

Djemtë e McCain, Jack dhe Don bënë homazhet e tyre në ceremoninë e së dielës, së bashku me gjeneralin e dalë në pension, David Petraeus dhe senatorin Lindsey Graham, një mik i ngushtë i McCain.

Presidenti Trump, i cili kishte debate të mëdha personale dhe politike me McCain, ka kaluar fundjavën në fushën e tij private të golfit në Virxhinia dhe nuk ka marrë pjesë në funeral./tvklan.al