Një shumë parash ka ndërhyrë në raportin nënë e bijë. Kristina i kërkon vajzës së saj, Ilirjanës në “Shihemi në Gjyq” me të cilën nuk është takuar prej më shumë se një viti që mos ta braktisë. Nga ana tjetër, Ilirjana ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me një qasje shumë të ftohtë ndaj nënës.

Kristina thotë se vajza i ka dërguar një letër ku i kërkon që deri në fund të prillit t’i shlyejë borxhin. Ilirjana thotë se është e detyruar pasi për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të shkolluar vajzën, i nevojiten paratë.

Kristina: Vajzë, ti më ke sjellë një letër shumë tronditëse!

Ilirjana: Do të të sjell të tjera, edhe shumë të tjera do të të sjell.

Kristina: Jo… ti je vajza ime, nuk do të më braktisësh kurrë!

Ilirjana: Nuk ke vetëm vajzë, ke edhe dy fëmijë të tjerë. Nuk jam vetëm unë!

Kristina: Lëri fëmijët e tjerë!

Ilirjana: Përse t’i lësh? Je nënë e tre fëmijëve!

Kristina: Ti më ke thënë që do të të pleqëroj!

Ilirjana: Të pleqërosh, të kam shkruar letrën dhe e di shumë mirë se pse të kam shkruar.

Kristina: Bijë, atë letër që më ke shkruar ti unë nuk e shoh dot, e kam futur nën jastëk.

Ilirjana: Poshtë dyshekut, poshtë jorganit, ku të duash t’i vësh.

Kristina: Nuk të përgjigjem për atë letër që më ke dërguar.

Eni Çobani: Kristina, çfarë ka ndodhur të lutem?

Kristina: Ajo kërkon që unë të shes shtëpinë dhe t’i jap një borxh që ia kam marrë që në 2013-ën.

Ardit Gjebrea: Kujt i ke marrë borxh?

Kristina: Vajzës.

Ardit Gjebrea: Ku ka borxhe për nënën? Si mund të ketë borxhe për nënën?

Ilirjana: E di po unë ç’të bëj? Ç’të bëj zonjë, ç’të bëj? Ku të shkoj, jam me 100 halle? Kam një burrë invalid, vajzën 20 vjeçe, nuk  po mundem t’i jap shkollë, ta shkolloj.

Kristina: Unë jam nënë.

Ilirjana: Edhe unë jam bijë. Ç’të bëj? Po falimentoj. Zonjë e dashur, po falimentoj! Unë nuk mundem më të pres! Të kam pritur boll! Të kam pritur shumë! Nuk të pres më!

Eni Çobani: Ilirjana, i ke vënë afat nënës ti se s’po  të kuptoj? I ke vënë afat nënës?

Ilirjana: Po. Në fund të prillit, dua borxhin.

Në rast se nëna nuk i kthen dot borxhin, Ilirjana i thotë se do të shesë shtëpinë që të mund të marrë paratë.

Ilirjana: Unë doja ta regjistroja vajzën, prisja që të më paguhej borxhi dhe unë të regjistroja vajzën në shkollë. Nuk e regjistroj dot, jam e falimentuar. Mua ato para nuk m’i kanë falur.

Kristina: Po çfarë faji të kam moj vajzë?

Ilirjana: Zonjë e dashur, unë paratë nuk i gjej në rrugë.

Kristina: Unë shtëpinë nuk e shes.

Ilirjana: Do ta shesësh.

Kristina: Ashtu siç e ka ajo letër, unë nuk të përgjigjem dot ty..

Ilirjana: Do ta shesësh sepse unë jam bashkëpronare.

Kristina: Sa të jem unë gjallë jo.

Ilirjana: Atë do ta shikojmë! Përderisa unë jam bashkëpronare, do ta shes!/tvklan.al