Ardhja e vjeshtës e më pas dimrit duket sikur nënkupton që gardëroba do të shndërrohet në njëngjyrëshe apo kryesisht në të zezë. Sigurisht, e zeza apo ngjyrat e errëta ndihmojnë që silueta të duket më e hollë dhe veshjet më elegante edhe pa shumë mundim, por kjo mund të arrihet edhe përmes ngjyrave.

Vjeshta është një stinë ngjyrash që shkrihen me njëra-tjetrën dhe duket sikur asnjëra prej tyre nuk konkurron  për të spikatur më shumë sepse nuk duken të tepërta. Këtë ide të thjeshtë mund ta zbatojmë edhe për dollapin sepse veshja nuk ka pse të na kufizojë, por të jetë një formë për të sjellë gëzim.

Mjaftojnë disa ide të thjeshta për t’u shpëtuar ngjyrave neutrale dhe për t’i dhënë pak gjallëri veshjes e ditës tuaj, me shumë pak përpjekje.

E kuqja e ndezur

Ngjyra e kuqe apo nuancat e saj nuk do të largohen kurrë nga moda. E kuqja e ndezur kombinon shumë mirë me ngjyrat si grija e hirtë apo kafeja e errët.

E verdhë gjalpi

U duk se do të ishte ngjyra e verës, por me kombinimin e duhur përshtatet shumë mirë për këtë stinë. Ndoshta mund të mos kishit menduar se do të shkonte me kafen apo të kaltrën e lehtë, ndaj do të habiteni kur të zbuloni sa bukur duket ky kombinim.

Nuancat

Kur s’dini si të veproni, fokusohuni te nuancat  që keni. Për shembull, bluza njëngjyrëshe poshtë xhaketës qëndron shumë mirë në këtë kombinim.

Printet

Përzierja e printeve dhe ngjyrave mund  t’ju stepë paksa, por pikërisht rrëmuja është ajo që rregullon gjithçka.

Një ngjyrë të guximshme

Nëse hezitoni për të provuar ngjyrat, metoda më e thjeshtë është të provoni të kombinoni një ngjyrë të fortë me tonet neutrale. S’do të gaboni në asnjë moment.

Blu kobalti

Bluja e kobaltit nuk  të mërzitet asnjëherë. Qëndron bukur në çdo stinë, por ka një hijeshi tjetër kur kombinohet me ngjyrën bezhë apo kafe.

Multi

Metoda më e thjeshtë për të ngjyrosur gardërobën është një shall shumëngjyrësh. Një ylber në qafën tuaj për ditët e zymta.

/tvklan.al