Studentët kërkojnë kardiologjinë dhe dermatologjinë
Të rinjtë kanë gjithnjë e më pak interes të specializohen për mjek familjeje, urgjence, toksikolog apo shëndet publik.
“Prej vitesh 95% e kuotave të specializimeve për mjekë familje dhe mjekë urgjence nuk plotësoheshin pasi nuk preferoheshin nga mjekët e rinj. Ministria e shëndetësisë ka hequr testimin për specializimet për këto dy fusha duke ndihmuar në thithjen e sa më shumë studentëve”, raporton gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.
Specializimet në Mjekësi priten të hapen në fund të muajit, pasi të dërgohen kuotat nga Ministria e Mbrojtjes, ajo e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme. Të gjithë ata mjekë të rinj të cilët do të zgjedhin të specializohen në këto dy fusha, nuk do i nënshtrohen testimit të specializimit, si dhe do të paguhen me 80 % të pagës së mjekut dhe një tarifë plotësuese si mjekë roje.
Vendimi për heqjen e testimit synon plotësimin e kuotave nga mjekët e rinj. Për ekspertët e shëndetësisë ky refuzim vjen edhe për shkak se studentët që përfundojnë specializimet për mjekësi të përgjithshme, referohen të punojnë si mjek familje.
I përkufizuar si një ndër degët më të vështira në shëndetësi, po ashtu specializimi për mjek urgjence është zgjedhur vetëm nga 1 person nga 15 kuota të miratuara.
“Ndër vite këto dy fusha zgjidheshin nga 1 ose 2 mjekë të rinj, duke rrezikuar që në të ardhmen vendi të ketë një mungesë të theksuar të mjekëve të familjes dhe urgjencës”, shton gazetarja.
Kërkesat më të mëdha të mjekëve të rinj janë për kardiologë, kardiokirurg, apo dermatolog.
Tv Klan