Vlerësohet natyra, kultura, kulinaria dhe çmimet
Pak ditë para se Channel 4 të transmetojë dokumentarin kushtuar thesarit të fshehur 7500-vjeçar të Linit, gazetarja e njohur britanike Betani Hjuxhs ka vendosur të rrëfejë udhëtimin e saj në Shqipëri.
Në një shkrim për Mail On Sunday, ajo tregon se si së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat vendosi të njohë më mirë Shqipërinë. Udhëtimin e nis nga kalaja e Krujës ku thotë se tashmë e kupton përse lord Bajroni u magjeps me bukuritë e këtij vendi.
Destinacioni i radhës është Berati që sipas gazetares britanike mbetet unikal për arkitekturën e tij. Më pas është radha e rivierës shqiptare duke nisur nga Vlora për të vijuar me gjirin e Karaburunit deri në Sarandë. Në kthim, ajo që nuk mund të lihet pa vizituar është lugina e Parkut Kombëtar të Vjosës.
Por përveç këtij reportazhi, Shqipërinë si destinacion turistik e ka sugjeruar edhe e përditshmja britanike “The Telegraph”. Në një shkrim të gjatë të saj thuhet se me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe Jon, Shqipëria ka filluar të tërheqë vizitorë ndërkombëtarë falë peizazheve të saj magjepsëse, kuzhinës së shkëlqyer dhe historisë intriguese.
Gazetarja Elise Morton shkruan se vizitorët mund të eksplorojnë një mozaik me pasuri kulturore dhe bukuri natyrore: nga shtëpitë e gurta osmane të Gjirokastrës dhe rëra e bardhë e Rivierës Shqiptare, te kultura moderne e kuzhinës në Tiranë dhe ndikimet e qytetërimeve të lashta në Parkun Arkeologjik të Butrintit të listuar në Unesco.
Gazeta britanike nënvizon se Shqipëria është e përgatitur si për pushime në qytet në fundjavë, ashtu edhe për aventura më të mëdha dhe mbi të gjitha me një buxhet mjaft të favorshëm. Më pas bëhet një listim i 10 destinacioneve që mund të vizitohen në Shqipëri përpara se sipas saj, kjo perlë ballkanike të preket nga turizmi masiv.
Tv Klan