Turizmi masiv dhe mbipopullimi në vendet e njohura turistike europiane shkaktoi protesta gjatë verës së kaluar, por e përditshmja franceze “Ouest-France” shkruan se ka ende destinacione në kontinent që i presin vizitorët krahëhapur.

Një prej tyre sipas saj është Shqipëria, të cilën e konsideron si një perlë e fshehur e Ballkanit.

“Dikur e izoluar nën regjimin komunist, sot po lulëzon në sektorin e turizmit” – citohet në shkrim për vendin tonë.

Sipas gazetës franceze, në më pak se një dekadë, Shqipëria është bërë një destinacion i kërkuar nga turistët që kërkojnë autenticitet, natyrë të pacënuar dhe çmime të përballueshme.

Në shkrim thuhet se vendi i vogël ballkanik, më pak i njohur se Greqia apo Italia, ofron një ndërthurje unike plazhesh idilike, male spektakolare dhe fshatra piktoreskë.

Veçohet riviera shqiptare me plazhet e egra dhe ujërat e kristalta, por edhe Tirana, qytetet trashëgimi të Uneskos dhe alpet e veriut. Theksi vihet edhe tek çmimet e favorshme dhe rritja e linjave ajrore me kosto të ulët që lehtësojnë aksesin në vend mund të çojnë në rritjen e turizmit në vitet në vijim.

Turizmi mbetet një levë strategjike për Shqipërinë, veçanërisht për ambicien e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – shkruan gazeta franceze.

Tv Klan