Dikur ishin vendi më i varfër në kontinent, sot konsiderohen si “Karaibet e Europës”. Me këtë titull, e përditshmja spanjolle “El Economista” i ka kushtuar një shkrim të gjatë zhvillimit të sektorit të turizmit në vendin tonë duke theksuar se ky “bum” po jep efekte të rëndësishme në ekonomi.

Gazeta spanjolle nënvizon se riviera shqiptare është kthyer në një motor për zhvillimin me investime të rëndësishme, jo vetëm publike, por edhe nga sektori privat. Duke analizuar të dhënat zyrtare të turistëve, “El Economista” shkruan se nga janari në gusht të këtij viti, për çdo banor vendas, erdhën 3 të huaj. Me këtë fluks, sipas shkrimit, Shqipëria ka lënë pas edhe vende si Kroacia dhe Greqia me traditë në turizëm. Sipas saj, Shqipëria ofron kilometra të tërë me plazhe me ujëra të kristalta dhe peizazhe të virgjëra ku spikasin edhe parqet arkeologjike. Vlerësohet mikpritja dhe toleranca fetare mes shqiptarëve.

Vendi ynë ka marrë vëmendjen edhe të medias tjetër spanjolle “La Vanguardia”, sipas së cilës Shqipëria është një destinacion në zhvillim me një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore. Sugjerohen për t’u vizituar Berati dhe Gjirokastra si Trashëgimi Botërore të UNESCO-s, pa anashkaluar Korçën dhe Alpet e veriut, por sigurisht edhe Tiranën për të cilën thuhet se është një qytet modern perëndimor.

Tv Klan