Një projekt për sistemimin e lumit Gjanica i Bashkisë së Fierit është prezantuar përpara donatorëve, ku i pranishëm ishte dhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu.
Sipas ministrit, ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi Gjanica prej kohësh është kthyer në pikën më problematike të ndotjes në këtë qytet. Për ekspertët, shkaktar kryesor mbetet industria e naftës.
Fatmir Mediu: “Ne kemi pasur edhe projekte të suksesshme më parë në Fier siç ka qenë instalimi për reduktimin e ndotjes në pikën e nxehtë të rafinerisë së Ballshit dhe uroj që investimi që është bërë në kuadër të programit Cards nga Bashkimi Evropian të kthehet dhe të bëhet në eficencën e tij të plotë. Pavarësisht se ARMO sot është privatizuar, ata duhet ta shikojnë atë jo vetëm si një objekt i shfrytëzimit për interesa ekonomike, por sipas një standardi që duhet patjetër të konsiderojë standardin ekologjik dhe mjedisor edhe ky impiant duhet të vendoset patjetër në eficencë sepse është një investim i bërë nga donatorë siç është Komisioni Evropian. Dhe ne nuk mund të kërkojmë mbështetje të tjera në qoftë se nuk vendosim eficencë të plotë dhe të shfrytëzojmë ato impiante që janë investuar nga ana e donatorëve.”
Ministri Mediu është ndalur edhe në disa faktorë të tjerë që ndikojnë në dëmtimin e mjedisit, si menaxhimi i mbetjeve urbane.
Gjithashtu, ai ka theksuar se prioriteti më i rëndësishëm i ministrisë është ndalimi i gërmimit në shtratet e lumenjve.
Fatmir Mediu: “Si ministri Mjedisi jemi të vendosur që t’i zhvendosim linjat e inerteve dhe ato të copëzimit nga shtratet e lumenjve se po shkatërrojnë një gjë të cilën do të duhet qindra vjet që ta rikuperojnë. Kanë krijuar probleme shumë të mëdha me shpejtësinë e lëvizjes së ujërave, me ujërat nëntokësorë, me erozionin dhe fenomenin e përmbytjes. Kostot janë shumë herë më të mëdha se sa përfitimet e atyre subjekteve të cilat i shfrytëzojnë këto lumenj pavarësisht nga qëllimi për të cilin e shfrytëzojnë.”
Gjatë konferencës, Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka theksuar se çështjet mjedisore janë tepër të rëndësishme pasi janë dhe kushte për integrimin në Bashkimin Evropian./tvklan.al