Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu ka deklaruar në parlament, se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në cilësinë e ambientit.

Fatmir Mediu: “Këto ditë u deklarua se Shqipëria ka bërë progres në fushën e mjedisit sipas Raportit të Indeksit të Performancës Mjedisore për vitin 2010, publikuar në Dava të Zvicrës, ku Shqipëria renditet në vendin e 23-t, e vlerësuar me 71.4 pikë nga 100 të mundshme në 163 vende të monitoruara”.

Ministri Mediu megjithatë pranoi se Shqipëria ka edhe probleme mjedisore, ku më të dukshmet janë mbetjet urbane. Sipas tij këto mbeturina veçanërisht ato spitalore duhet të punohen në mënyrën e duhur dhe për këtë rol të rëndësishëm ka pushteti lokal.

Fatmir Mediu: “Gjykoj se do të ishte tërësisht e gabuar ideja e groposjes së tyre në landfille pa kryer më parë trajtimin e tyre dukë mundësuar një proces të plotë zinxhir, në respektim të direktivës evropiane për mbetjet, në të kundërt nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të krijohen bomba ekologjike me pasoja shumë të mëdha për shëndetin dhe jetën, të cilat po ashtu do të paraqesin në  kohë kosto shumë të mëdha financiare për ti menaxhuar”.

Ministri i Mjedisit diktoi si problem edhe ndotjen nga trafiku dhe për këtë duhet një punë më e mirë për zhvillimin e planeve urbane.

Ndotja akustike ishte një tjetër pikë që preku Mediu. Ministri tha, se pyjet janë pasuri që duhen mbrojtur, shfrytëzimi i tyre pa kriter shkakton dëmtime të tokës nga erozioni që ndihmojnë përmbytjet. Fatmir Mediu tërhoqi edhe një herë vëmendjen te shfrytëzimi i shtretërve të lumenjve në mënyrë të paligjshme. /tvklan.al