Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u arrestua këtë të enjte me urdhër të SPAK. Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzim me fondet e SASPAC. Arrestimi i Beqajt vjen në një kohë kur ai ndodhej në masën detyrim paraqitje për dosjen e sterilizimit. Ndaj dhe mëngjesin e sotëm kur doli lajmi për arrestimin e ish-ministrit u mendua fillimisht se kishte lidhje me “sterilizimin”. I tillë ishte edhe rasti i analistit Mentor Kikia.
Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, Kikia u shpreh se të gjithë prisnin arrestimin e Beqajt për “sterilizimin”. Ai theksoi gjithashtu se priten hetime më të thelluara për këtë çështje, pasi konsiderohet një ndër abuzimet më të mëdha në vend.
“Në fakt në mëngjes sapo u mësua lajmi për arrestimin e Ilir Beqajt, të gjithë menduam se kjo kishte të bënte me çështjen që ishte hapur ndaj tij ndërkohë dhe që lidhej me dosjen e famshme të koncesionit të sterilizimit. Por më pas u mësua që një akuzë e re ishte ngritur ndërkohë dhe që lidhej me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian, të cilët menaxhoheshin nga qeveria shqiptare, fonde që jepeshin për projekte zhvillimore në fushën e biznesit në Shqipëri.
Ishte le të themi në një farë mënyre e papritur, pasi hetimet kishin marrë një start pas publikimit apo përfundimit të një serie përgjimesh që kishte zhvilluar prokuroria me urdhër të gjykatës ndaj Beqajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, që do të tregonin për mënyrën se si shpërndaheshin këto fonde, mbi të gjitha për krijimin e një menaxhimi apo të një zinxhiri subjektesh kryesisht restorante apo të subjekteve tregtare, të cilët përdoreshin për të krijuar xhiro fiktive.
Një mekanizëm ky që përdoret për të pastruar para, gjë që me sa duket i ka vënë prokurorët përballë faktit të paluajtshëm për të marrë vendimin e arrestit, pasi së paku nga ato përgjime që janë bërë publike dëshmohet qartësisht mekanizmi abuziv me fondet dhe mbi të gjitha ai i pastrimit të parave, të prodhimit të evazionit fiskal.
Megjithatë është interesant të pritet hetimi për koncesionin, pasi në fund, ai është edhe afera më e madhe ndër më të mëdhatë që ka tronditur sistemin e shëndetësisë në kushtet kur i gjithë sistemi është në vështirësi për financat për të përballuar kostot, referuar edhe atij që është quajtur ‘skandali i Onkologjikut’.
Historia e mungesës së ilaçeve për të sëmurët me kancer e kështu me radhë. Kështu që do të presim nëse do të rëndohen akuzat edhe për çështjen e koncesionit. Por hetimet për çështjen fondeve të BE me sa duket shpejtuan, le të supozojmë tashmë, edhe një lloj presioni që mbërriti nga Brukseli për transparencë për fondet që vijnë nga andej për Shqipërinë. Kjo pas zbulimit të një tjetër skandali, siç ishte ai i tjetërsimit të fondeve të IPARD-it, që adresohen për të subvencionuar fermerët të prodhimit bujqësor,” tha gjatë fjalës së tij analisti, Mentor Kikia./tvklan.al