Kjo është atmosfera e fitores së demokratëve pas 3 vitesh zvarritje dhe përplasje për vulën e PD-së.
Gjykata e Apelit mori vendimin që vula e Partisë Demokratike të Shqipërisë i takon liderit historik të demokratëve, Sali Berishës.
Duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë marrë nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili miratoi ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të PD-së mbajtur më 11 Dhjetor 2021 nga Rithemelimi.
Përfaqësues ligjorë të grupimit të Lulzim Bashës, pretenduan se Kuvendi dhe vendimet e dala prej tij ishin në kundërshtim me ligjin.
Por Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia, si përfaqësues të grupimit të Berishës, renditën bazën ligjore për të gjithë veprimtarinë e Komisionit dhe më pas të vendimmarrjeve të Kuvendit.
Vendimi i Apelit lexohej lehtësisht tek deputetët demokratë, të cilët dolën të qeshur nga salla e gjyqit
Flamur Noka i kërkoi demokratëve të rikthehen në Partinë Demokratike, ftesë që nuk e pati për ata që janë shërbëtorë të regjimit, duke nënkuptuar Bashën dhe mbështetësit e tij.
Flamur Noka, deputet i PD: Thirrja është për çdo demokrat, shtëpia juaj është Partia Demokratike, ka qenë dhe është. Kjo thirrje vlen për çdo demokrat, sigurisht jo për ata që e ndjejnë veten në krah të Edi Ramës.
Kujtojmë që Sali Berisha u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i PD-së në 2021-in.
Në Mars të 2022-it gjyqtari Agron Zhukri e cilësoi legjitim vendimin e Kuvendit të Berishës duke i dhënë partinë ish-kryeminsitrit.
Më 3 Mars të vitit 2023 Apeli rrëzoi vendimin e Zhukrit, duke kthyer çështjen në Shkallë të Parë. Ky vendim i Apelit legjitimoi mbajtjen e vulës nga Lulzim Basha.
Më 27 Dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel duke e urdhëruar që duhet të shprehet me vendim. Këtë të martë Apeli vendosi që vula i takon Sali Berishës.
Ish-kryeministri ndodhet në “arrest në shtëpi” që prej 30 Dhjetorit të 2023, pasi akuzohet si i dyshuar për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Klan News