Në 14 Mars, “STOP” transmetoi denoncimin e zonjës Besarda Mehmetaj. Ajo tregoi, se ka një fëmijë 1 vjeç që e regjistroi në Janar në çerdhen numër 3 “Dritë” në Kamëz.

Por pasi e linte fëmijën, e thërriste edukatorja, duke i thënë, që po qante. Situata arriti deri në pikën, që edukatore Xhensila i tha se mund ta linte fëmijën në kopsht deri në fund të javës, pasi nuk merreshin dot me të.

Besarda shpjegoi, se u detyrua të marrë një zonjë, që t’i mbante djalin. Me kamera të fshehtë nëna e fëmijës takoi drejtoreshën e çerdhes “Dritë”, e cila gjithashtu i tha se djalin duhet ta mbante në shtëpi, pasi nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.

Pas transmetimit të rastit, Rakip Suli, kryetari i Bashkisë Kamëz, tha, se është prekur nga edukatorja dhe drejtoresha që janë sjellë pa etikë me familjarët e fëmijës, ndaj i ka dhënë të dyjave masë disiplinore “paralajmërim për largim nga puna”.

“Sapo pashë tek STOP-i për problemin e çerdhes në Valiasin e vjetër thirra nënkryetarin e bashkisë për tu lidhur me ju si gazetare dhe ju thirra sot për t’u njohur me masat që janë marrë nga Bashkia e Kamzës në drejtim të edukatoreve dhe përgjegjëses së kopshtit. Ju falenderoj për pasqyrimin e këtyre problematikave për vetë faktin sepse investimi në çerdhe dhe në kopshte në Bashkinë e Kamzës do të thoja është një model për të gjithë Shqipërinë. Gjithsesi ne kemi shkuar në masa për përgjegjësen e kopshtit për dy arsye, komunikimi që pati nëpërmjet mediave jo normal dhe informimi që nuk ka dhënë për problematikën e fëmijës. Si dhe edukatores vërejtje me paralajmërim me largim nga puna. I është dhënë një mundësi e dytë për të reflektuar. Të ketë një komunikim më të mirë me familjarët e fëmijëve. Në moment që pashë emisionin nuk mund të rrija nëpërmjet medias sepse ishte diçka që nuk e pranoja dot atë lloj komunikimi nga edukatorja dhe nga përgjegjësja e kopshtit. Ju bëj thirrje dhe prindërve sepse çdo 3 muaj bëjmë takim me prindërit, mund ta ngrenë edhe në takimet që jemi. Ajo që më shqetësoi për edukatoren, duke patur edhe psikologen brenda kopshtit dhe nëse një fëmijë qan, duhet të komunikojë edhe me psikologen”, tha ai./tvklan.al