Një zjarr i rënë në Kamëz ka djegur disa automjete në një biznes për dhënien e automjeteve me qira. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të ditës së sotme në rrugën “Donald Trump”.

Akoma nuk dihet se çfarë mund t’i ketë shkaktuar flakët e zjarrit, por dyshimet janë që ngjarja të jetë e qëllimshme.

Pronari i makinave, E.H. kishte vetëm 5 ditë që kishte hapur biznesin e dhënies së automjeteve me qira. Mjetet dyshohet se janë djegur qëllimisht me benzinë. Dy persona janë konstatuar me shishe me lëndë djegëse benzinë që hyjnë dhe vendosin zjarrin.

Pista e parë e hetimeve mbetet ajo e konkurrencës. Hoxha është marrë në pyetje nga Komisariati Nr.5 ku ka deklaruar se nuk ka patur probleme me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.

E.H. është me precedent penal në fushën e narkotikëve. Por kjo nuk po hetohet nga efektivët, pasi pista kryesore ajo e konkurrencës.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Njoftimi i Policisë:

Më datë 05.06.2024, rreth orës 04:00, në rrugën “Donald Trump”, Kamëz, ka rënë zjarr dhe janë djegur disa automjete, në një biznes për dhënien e automjeteve me qira.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


/tvklan.al