Vrasja e 14-vjeçarit në afërsi të shkollës “Fan Noli” ka tronditur mbarë opinionin publik. Pastori Paulin Vilajeti i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan që edhe mbrëmjen e sotme trajton këtë ngjarje të rëndë shprehet se pabarazia shoqërore është një ndër aryset kryesore të këtyre sjelljeve në shoqëri.
Pastori Vilajeti u shpreh se ndjenja e të qënurit i pari është ajo që po e vret këtë brez dhe se mbyllja e rrjeteve sociale nuk është zgjidhje në këtë rast.
Pastori Paulin Vilajeti: Unë besoj se ka shumë arsye dhe do të veçoja ndoshta tre që unë mendoj që janë themelore. Jeta larg zotit, e dyta kjo pabarazia në shoqërinë shqiptare dhe jo nga ana financiare, por në të gjitha drejtimet dhe kjo ndjenja e turpit. Në brezin e të rinjve ti ndjehesh i turpëruar dhe duket sikur kjo lloj ndjenje i çon deri në këto akte ku ata i marrin jetën njëri-tjetrit.
Kjo është ndjenja e pabarazisë dhe kjo është ndjenja brenda këtij brezit. Ky brez do të jetë njësoj dhe të imitojnë njëri-tjetrin sepse duan të jenë të parët dhe kjo është një fatkeqësi shumë e madhe për këtë brez. Ajo që unë ndjej dhimbje sepse ne nuk ndalojmë. Unë mendoj është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë sonë sepse rrjetet sociale janë si një armë që nëse e përdor në mënyrë të gabuar ajo të vret. Rrjetet sociale nuk janë ato që shkaktojnë të gjithë këtë gjë dhe jo vetëm kaq, por është e dhimbshme sepse unë jam aktiv në Tik Tok dhe është e habitshme se si fëmijë më shajnë dhe nuk kanë lidhje me atë që them.
Unë mendoj që kjo ndjenja e të qënurit i pari është ajo që po e vret këtë brez dhe nuk mendoj që mbyllja e rrjeteve sociale mund t’ju heq thikën nga dora e pistoletën nga brezi. Ne duhet të ulemi për t’ju hequr këto gjëra që kanë në dorë. Unë them është e mundur, por shoqëria shqiptare ka rënë dhe prindi nuk duhet ta lejojë fëmijën të dalë nga shtëpia nëse ka marrë vesh se ka ndonjë konflikt sado të vogël.
Ndër të tjera pastori u shpreh se prindërit shqiptarë sakrifikojnë shumë për fëmijët e tyre, por ndonjëherë kjo sakrificë është e pamjaftueshme teksa shton se nëse është nevoja ata duhet të lejnë edhe punën që të jenë më pranë fëmijëve nëse kanë probleme./tvklan.al