Ka më shumë se 20 vjet që në skenë ka luajtur rolin e Lucias, ku me zërin e saj ka bërë të dridhen zemrat e shumë njerëzve dhe ka rrëmbyer duartrokitjet e publikut në teatrot më prestigjioze në mbarë globin.

Në veprën “Lucia Di Lammermoor” e cila vihet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, sopranoja me famë botërore Jessica Pratt do të ketë rolin kryesor. E ftuar në studion e “Rudinës” ajo ndau emocionet e këtij personazhi që tashmë e identifikon, por nga ana tjetër dhe vështirësitë me të cilat ajo haset sa herë që del në skenë me rolin ikonik.

“Është tepër i vështirë sepse ka shumë emocione që duhet të menaxhohen, duhet të komunikosh gjithë këtë gjendje shoku, tërbimi apo çmendurie. Ka disa ekstreme midis tërbimit dhe qetësisë. Janë pikërisht këto kontraste që komunikojnë. Për më tepër është dhe menaxhimi i qetësisë sepse në teatër gjëja më e bukur për sa më përket mua është kur nuk këndoj, kur nuk nxjerrim tingull, është fundi i një kadence dhe t’i shikon se i gjithë publiku është me frymën pezull, mban frymën.

Kjo të jep ndjesinë sikur je me një grup tjetër njerëzish, po përjetojmë të gjithë të njëjtin moment dhe jemi të gjithë në një çast pritjeje. Është diçka e jashtëzakonshme sepse sot jemi më shumë individë dhe kemi nevojë që të qëndrojmë së bashku. Ne qëndrojmë së bashku në fushën e sportit kur jemi konkurrues, ndërkohë që kur shkojmë në teatër, apo në koncert ne qëndrojmë së bashku në kuptimin që të rrisim empatinë, ndjeshmërinë dhe ndjesinë e komunitetit. Është diçka e madhe për qenien njerëzore, prandaj për mua kjo skenë për këtë heshtje që ka, për të qëndruarit bashkërisht. Por nga ana tjetër menaxhimi i ekstremitetit të luhatjes së zërit, sepse ka nota shumë të larta është shumë e komplikuar qoftë nga pikëpamja artistike ashtu dhe ajo teknike,” tha Jessica Pratt./tvklan.al