Emërimi i prokurorit Olsian Çela në krye të krimeve të rënda konsiderohet nga kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, si një mesazh mjaft i keq që i jepet shoqërisë. Në një intervistë për Televizionin Klan, zonja Doda shprehet se prokurori Olsian Çela 18 muaj më parë, ka kryer disa shkelje gjatë shqyrtimit të çështjes së frekuencës se Televizionit Ora News.
Mesila Doda: “Ai ka dy çështje të hapura nga mediat për të cilat prokuroria ende nuk është shprehur. Zoti Çela me urdhër të zoti Sollaku prokurorit të atëhershëm u emërua nga Prokuror i Krimeve të Rënda në Prokurorin e Tiranës, për çështjen e garës së frekuencës të dhënë në Malin e Dajtit frekuencës televizive. Shkeljet e kryera nga zoti Çela asokohe ishin të një natyre juridike, ishte nxjerrja e sekretit hetimor, ishte thirrja e KKRT-së jo në organet e Prokurorisë Tiranës, po në organe te prokurorisë të krimeve të rënda për t’i dhënë ngjyrimin e një krimi të rëndë, për veprimtarinë e KKRT-së. Anëtarët e KKRT-së thërriteshin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ndërkohë kishte një linjë transmetimi me gazetarë, me reportazh të ndryshëm në mënyrë që të merrnin planet e anëtarëve të cilët hynin, dilnin dhe trajtoheshin si kriminel ordiner. Nga ana tjetër të gjitha verbalet dhe të gjitha përgjigjet që lëshonin anëtarët e KKRT-së apo njerëzit e thirrur zbardheshin të nesërmen në gazeta të ndryshme”.
Pyetjes a do të ketë pasoja për KKRT në emërimi i prokurorit Çela në krye të krimeve të rënda, zonja Doda përgjigjet.
Mesila Doda: “KKRT-ja është në një moment shumë kyç të saj, janë duke u dhënë garat e frekuencave digjitale, kombëtare dhe lokale. Dhe nëse një person ka hetuar rreth 6 muaj për dhënien e një frekuence në Malin e Dajtit, ju e imagjinoni se çfarë do bëhet nëse KKRT-ja do vazhdojë punën e saj intensive të madhe për dhënien e gjithë këtyre frekuencave kombëtare. Nëse një persekutor i tillë vendoset me një pozicion të tillë”.
Ndërkaq duke argumentuar shkeljet e bëra nga prokurori Çela rreth 18 muaj më parë, kryetarja e KKRT-së Mesila Doda u shpreh se emërimi i tij në një post më të lartë është edhe një zhgënjim i madh ndaj kryeprokurores Ina Rama. /tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit Xhaferri