Kemi hyrë në javën e tretë të karantinimit dhe gjithçka nga jeta jonë e dikurshme duket se ka ndryshuar.
Masat e shtetit shqiptar, për t’u siguruar të paktën fëmijëve ndjekjen e shkollës, të cilat janë mbyllur prej dy javësh e jemi drejt javës së tretë, kanë të bëjnë me ndjekjen e mësimit online si zgjidhja e duhur për këtë moment.
Në një lidhje në Skype për emisionin “Historia ime”, në TV Klan ishte Eriselda Duraj, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Kushta”, në Vlorë.
Eriselda Duraj: Kam krijuar një grup Whatsapp me prindërit e nxënësve të mi dhe aty kemi lënë një orar të caktuar, ku unë komunikoj me nxënësit e mi, pra prindërit mundësojnë lidhjen. Në fakt nuk fillon këtu e gjitha, sepse fillon me parapërgatitje, do fillosh të përgatitësh materialin që do ju ofrosh, nëpërmjet videove të ndryshme, mesazheve zanore, mesazheve të shkruara, fotove të ndryshme. Pra është punë e cila të merr shumë kohë, por është detyra jonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë.
Më tej, mësuesja shton se qëllimi është mbajtja e fëmijëve të angazhuar, duke i vënë në punë, por pa i lodhur dhe stresuar.
Eriselda Duraj: Themi se po ja dalim, jemi në kushte të vështira psikologjike si ne dhe fëmijët. Sepse nuk është e lehtë e gjithë kjo që po na ndodh. Por megjithatë ne mësuesit po përpiqemi fort që ta bëjmë dhe rolin e psikologut me fëmijët. E gjitha është që ne t’i mbajmë të angazhuar fëmijët, t’i vemë në punë, por pa i lodhur dhe pa i stresuar. Gjithmonë përpiqemi që ato detyra të jenë interesante, të thjeshta, të bukura, t’i nxisim fëmijët të bëjnë punë të lehtë kërkimore, ose punë krijuese dhe e gjithë kjo ata i tërheq, ju pëlqen të punojnë në grup./tvklan.al