Presidenti Ilir Meta shprehet i shqetësuar për renditjen e Shqipërisë si vendi i parë në Europë për vdekshmërinë më të lartë nga Covid-19.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit i referohet raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për këto të dhëna, dhe i bën thirrje Komitetit Teknik të Ekspertëve që të ndërmarrë masa për të ndërhyrë sa më parë lidhur me masat anti-Covid.
“Renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE. I bëj thirrje, Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si dhe të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët. Duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve. Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë”, thotë Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al