Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetet sociale postimin e Kryetarit të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, në lidhje me vendimin e mazhorancës për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor të enjten
“E falënderoj Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, z.David McAllister, mik i vërtetë i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për angazhimin e tij të sinqertë e të vazhdueshëm, për zgjedhje të lira e të ndershme. Z.McAllister, si askush tjetër, bëri çdo gjë edhe katër vite më parë, që vendi ynë të mos kishte zgjedhje penalizuese për integrimin europian, siç fatkeqësisht ndodhën”, shkruan Meta ndërsa shton se ka ende kohë për reflektim për mazhorancën.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister, ka reaguar në lidhje me vendimin e mazhorancës për të kaluar të enjten ndryshimet për Kodin Zgjedhor.
McAllister thotë se është i shqetësuar pasi ndryshimet e njëanshme shtojnë klimën e mosbesimit mes palëve, por gjithashtu ndikojnë edhe në përpjekjet për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare në kuadër të integrimit europian.
“Shumë i shqetësuar se pavarësisht thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, votimi për ndryshimet në Kodin zgjedhor shqiptar është përcaktuar për nesër. Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të shtojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 25 Prill. Ato do të jenë jo produktive ndaj përpjekjeve për të pasur Konferencën e Parë Ndërqeveritare në fund të këtij viti”, shkruan McAllister në Twitter. /tvklan.al