Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Koordinimi i reformës në administratën publike, ka mbledhur sot donatorët e huaj dhe përfaqësuesit e qeverisë shqiptare. Kryeministri Meta, pasi bëri një përmbledhje të punës së qeverisë në këtë drejtim, theksoi se niveli i ulët i pagave është një problem i administratës publike, që përbën një faktor frenues për të tërhequr në këtë administratë, njerëzit më të aftë.
Kryeministri Ilir Meta:- “Qeveria shqiptare, dëshiron të tregojë angazhimin e saj dhe të marrë përgjegjësinë për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj reforme, sepse synimet e qeverisë, janë konsolidimi ekonomik i vendit, zhvillimi i demokracisë, lufta kundër korrupsionit dhe zgjerimi i bashkëpunimit rajonal”.
Në përfundim pala shqiptare ka propozuar krijimin e një komisariati të përbashkët midis qeverisë shqiptare, Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe iniciativës anti-korrupsion në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Donatorët kanë rënë dakord me këtë propozim, por kanë kërkuar dhe forcim më të madh të kontrollit të brendshëm financiar, vënien në funksionim të komisionit të nëpunësit civil, forcimin e kontrollit në prokurimet publike, si dhe harmonizimin e veprimtarisë institucionale./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego