Presidenti Ilir Meta priti këtë të hënë në një takim Raporteren për Shqipërinë, eurodeputeten Isabel Santos.

Kënaqësi të takohesha me Raporteren për Shqipërinë, Eurodeputeten Isabel Santos. Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.  Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë, e në këtë kontekst, në takimin me Santos Presidenti u shpreh se “është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve. Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”./tvklan.al