Një minator në Tanzani është bërë milioner pasi arriti të shiste dy gurë të shtrenjtë. Saniniu Laizer fitoi 3.4 milionë Dollarë nga ministri i Minierave për shitjen e dy gurëve të quajtura “Tanzanite”, të cilat peshonin deri në 15 kilogramë.
“Do të ketë një festë të madhe nesër”, tha Laizer për mediat. Ai është baba i 30 fëmijëve.
Ndërkohë guri që e bëri të pasur gjendet vetëm në veri të Tanzanisë dhe përdoret për të bërë stoli. Është një prej gurëve të çmuar më të rrallë në Tokë. Një gjeolog lokal llogarit se furnizimi me të mund të mbarojë për 20 vjet.
Guri i shtrenjtë shfaqet në disa ngjyra. Vlera varet nga sa e veçantë është. Sa më e pastër ngjyra dhe pastërtia, aq më i shtrenjtë çmimi.
Laizer i gjeti dy gurët, njëri 9.2 kilogramë dhe tjetri 5.8, javën e kaluar, por i shiti të mërkurën. Deri më tani guri më i madh “Tanzanite” që ishte gjetur peshonte 3.3 kilogramë.
Laizer, i cili ka katër gra tha se theri një lopë për të festuar këtë ngjarje. Gjithashtu ai planifikon që të investojë në komunitetin u jeton pas fitimit të këtyre parave.
“Dua të ndërtoj një qendër tregtare dhe një shkollë. Dua të ndërtoj një shkollë afër shtëpisë. Ka shumë njerëz të varfër këtu të cilët nuk e përballojnë dot ekonomikisht që të çojnë fëmijët në shkollë. Nuk jam i edukuar, por më pëlqen t’i drejtoj gjërat profesionalisht. Do të doja që fëmijët e mi të drejtonin biznesin profesionalisht”, tha ai.
Laizer ka deklaruar ndër të tjera se fitimi i kësaj shume të madhe parash nuk do ta ndryshojë stilin e tij të jetesës pasi planifikon të vazhdojë të kujdeset për 2 mijë lopët që ka në pronësi./tvklan.al