Problemet me drejtësinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut po detyrojnë milionerët të braktisin Turqinë për t’u vendosur në vende të tjera. Sipas partisë opozitare CHP, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për ikjen e parasë dhe të trurit nga vendi, në 3 vitet e fundit nga Turqia janë larguar plot 13 000 milionerë.
Sipas raportit të paraqitur para parlamentit turk nga deputeti Murat Bakan, “
Turqia po përjeton largimin më intensiv të trurit në historinë e saj.
”
Në raport i jepet vend edhe studimit të përgatitur nga “New World Wealth”, sipas të cilit në krahasim me popullsinë dhe numrin e milionerëve, Turqia është shteti që po përjeton largimin më të madh të të pasurve.
Sipas raportit, në vitin 2015 nga Turqia janë larguar vetëm 1 000 milionerë, ndërsa pas grushtit të dështuar të shtetit, numri është rritur ndjeshëm duke shkuar në 6 mijë në vitin 2016.
“Përgjatë 3 viteve të fundit janë larguar 13 000 milionerë nga Turqia. Nga këta, 12 000 janë larguar në 2 vitet e fundit”,
thuhet në raport, duke nënvizuar se milionerët po largohen si pasojë e shqetësimeve për mungesën e drejtësisë, demokracisë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në vend.
Çështja e largimit të të pasurve duket se ka shqetësuar edhe Presidentin turk, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili në muajin Dhjetor tha: “
Shikoj që ka përpjekje të disa biznesmenëve të transferojnë jashtë pasuritë e tyre. Së pari i bëj thirrje qeverisë: Nuk duhet të lejoni largimin e tyre.
” /tvklan.al