Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qendra ndërkombëtare antitrafik në Vlorë, tashmë ka filluar të funksionojë, falë kjo dhe asistencës së programeve të trajnimit hetimor kriminal nga qeveria amerikane. Ministrat e rendit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përfundim të bisedimeve dyditore në lidhje me bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar rajonal, kanë debatuar në ambientet e kësaj qendre.

Ministri shqiptar i rendit konsideron, se ka probleme në koordinimin e disa specialistëve të huaj, por nëpërmjet informacioneve të menaxhuara në këtë qendër, mund të realizohen goditje të përbashkëta kundër trafiqeve në rajon.

Luan Rama:- “Ftesa me e mirë për të gjithë partnerët e tjerë është rezultati që prodhon qendra e Vlorës dhe pas 10 muajsh, ne kemi tashmë një pamje reale të rezultatit të prodhuar të cilin do ta bëjmë prezent në mënyrë të veçantë për qendrën, por më tej dhe për të gjitha rezultatet e shënuara nga policia shqiptare dhe nga shteti shqiptar, nga konferenca e Londrës, deri në atë të Selanikut, por do ta bëjmë prezent në Selanik, në funksion të disa programeve më të detajuara mbështetëse nga vendet e BE, gjatë presidencës italiane”.

Rast konkret i bashkëpunimit është konsideruar puna mes policisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi, për kapjen e disa trafikantëve të drogës, si dhe në bllokimin e skafeve me klandestinë në vijën bregdetare të Adriatikut. Në takimin ndërmjet ministrave të rendit të Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Përfaqësuesit të UMNIK-ut dhe ministrit shqiptar të rendit është rënë dakord, që qendra e Vlorës të konsiderohet si një qendër e mirëfilltë policore, për grumbullimin e informacionit për krimin rajonal./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj