Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka zgjedhur t’i përgjigjet akuzave të partisë socialiste por dhe qëndrimit të organit kryesor të akuzës mbi çështjen e rrugës Durrës-Kukës. I gjithë deklarimi i Bashës i mëshonte fort idesë se prokuroria e përgjithshme po punon mbi bazën e një akuze politike, të fabrikuar sikurse u shpreh, në dyert e selisë rozë.
Basha tha gjithashtu, se sulmi ndaj tij s’është gjë tjetër vetëm një përpjekje për të sabotuar ndërtimin e rrugës, përpjekje që siç tha ai, socialistët e bënë gjatë 8 viteve në pushtet. Plot 400 milion euro u ka kushtuar shqiptarëve mungesa e kësaj rrugë thënë ndryshe 80 milion euro në vit-theksoi ministri Basha.
Lulzim Basha: “I ndërgjegjshëm se përfundimi i rrugës Durrës-Kukës komprometon rëndë të ardhmen e tij politike, ky pinjoll i denjë i Dushan Mugoshës dhe Koçi Xoxes mori stafetën nga ata që për 8 vjet penguan me çdo kusht ndërtimin e rrugës dhe mobilizoi mercenarët për të nxirë dhe përbaltur këtë projekt gjigand. Me anë të një sulmi të pastër politik mercenarët e Edi Ramës dhe ndokujt tjetër, brenda prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato tashmë me stemën e prokurorisë. Edi Rama akuzonte në mënyrën më të paturpshme, se në rrugë ka një dëm prej 320 milion eurosh, në një moment kur në rrugë ishin investuar vetëm 200 milion euro. Dua të përsëris se asnjë rresht, asnjë fjalë, asnjë shkronjë në këtë akt-akuzë nuk ka të bëjë me mua. Ky është një proces kundër rrugës, për faktin se rruga po ndërtohet. Edi Rama është eksponenti i vetëm politik në Shqipëri dhe në Kosovë, që nuk e ka vizituar rrugën asnjëherë të vetme. Këtu ka të drejtë sepse rruga është fundi i tij.”
Po aq politik për Bashën tingëllon fakti se në një vit , prokuroria e përgjithshme nuk e ka thirrur asnjëherë, përveç një rasti kur ministri zgjodhi të paraqitet vullnetarisht.
Lulzim Basha: “Prokuroria ka patur të gjithë kohën e nevojshme dhe disponibilitetin tim maksimal për të kryer hetimet që ka nisur. Me përjashtim të deponimit tim vullnetar më 10 dhjetor nuk është kërkuar nga prokuroria asnjë deponim shtesë.”
Ministri Basha akuzoi prokurorinë se ka ndërmarrë veprime hetimore antiligjore ndaj tij. Ishte rasti i thirrjes së Bashës vetëm pak ditë më parë në prokurori,në një kohë që gjykata mori vendim për pezullim të hetimeve, një gjë që u konfirmua dhe nga kryeprokurorja Ina Rama.
Lulzim Basha: “Ku ajo thotë gjykata na ka urdhëruar të mbyllim hetimet. Ne nuk biem dakord, do ta apelojmë, por hetimi është i mbyllur dhe ne nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim. 24 apo 48 orë me vonë e njëjta prokurore e përgjithshme me firmën e saj dërgon aktin e prokurorit të çështjes i cili ndërmerr veprime hetimore, kërkon të ndërmarrë veprime hetimore në adresën time. Pyetja qëndron kush e urdhëroi zonjën Rama të shkelte ligjin, kush e urdhëroi zonjën Rama të shkelte atë që tha vetë 48 orë më parë.”
Me një agjendë të ngjeshur diplomatike javën që vjen ministri i punëve të jashtme Lulzim Basha garantoi se lidhur me këtë çështje do të zbatojë vetëm ligjin./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi