Lajme Arkiva – TV Klan 2001
“Konsolidimi i financave publike, si dhe ecuria e ekonomisë shqiptare, në rrugë të mbarë, siguron vazhdimësinë e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare dhe donatorët”. Kështu ka deklaruar sot njëshi i financave Anastas Angjeli dhe përfaqësuesi i FMN-së Trajkell. Ministri i Financave Angjeli, ka bërë një rezyme të arritjeve të vitit 2000, ku ndër të tjera ka cilësuar si sukses, investimet në sektorët e infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.
Nuk ka mbetur pa u cilësuar sukses edhe privatizimi i AMC-së, një arritje e madhe për qeverinë tonë, si edhe procesi i privatizimit për Bankën e Kursimeve. Ndërkohë edhe ulja e tarifave doganore, si dhe arkëtimet të subjekteve tatimpaguese janë arritje për ekonominë.
Anastas Angjeli, Ministri i Financave:- “Motoja jonë gjatë vitit 2001, do të jetë konsolidimi i mëtejshëm i financave publike, përmes çuarjes përpara të arritjeve në mbledhjen e të ardhurave tatimore e doganore dhe rritja e rolit të kontrollit të brendshëm financiar, në funksion të rritjes ekonomike dhe reduktimit të varfërisë. Objektivat konkret për këtë qëllim janë përfshirë në buxhetin e vitit 2001”./tvklan.al