Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Vendi ynë këto ditë është prezantuar në dy evenimentet më të rëndësishme kulturore, në konkursin ndërkombëtar teatror, i cili po zhvillohet në Butrint, si edhe pjesëmarrja në panairin “Ekspo 2000”, në Hanover të Gjermanisë, ku Shqipëria u prezantua me ditën e saj ndërkombëtare. Në lidhje me të dy këto evenimente të rëndësishme, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama u shpreh.

Edi Rama, Ministri i Kulturës:- “Festivali i Butrintit ka një funksion të caktuar, i cili i kapërcen kufijtë e aktivitetit thjesht kulturor dhe në funksion të politikës së integrimit të Shqipërisë në Europë është edhe ky festival. Si asnjëherë tjetër Shqipëria u paraqit në një panair të madh ndërkombëtar, në një nivel shumë të lartë dhe besoj që edhe dita kombëtare e Shqipërisë, pati po këtë nivel sepse informacionet e menjëhershme që mora ishin të tilla. Kemi pasur shumë letra në adresën tonë të e-mail nga vizitorë të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës në “Ekspo 2000” dhe kemi pasur kënaqësinë e madhe që punën e bërë jashtë orarit dhe për të cilën janë impenjuar shumë njerëz këtu në Ministrinë e Kulturës, ta shohim të shpërblyer në formën e një mirënjohje morale nga ana e vizitorëve”.

Në panairin “Ekspo 2000”, vendi ynë në një pavion të veçantë, i cili u vizitua nga mjaft përfaqësues shtetesh dhe kureshtarë të Shqipërisë, prezantoi ekspozenë disa vjeçare të kulturës dhe traditës tonë./tvklan.al