Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministri i Rendit Luan Rama ka urdhëruar shefat e policisë në qarqe të drejtojnë veprime policore konform ligjit dhe në shërbim të një procesi zgjedhor të rregullt dhe të pakontestueshëm. Në takim merrnin pjesë dhe shefi i OSBE-ODHIR-it, si dhe kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi. Çdo efektiv në ditën e zgjedhjeve ka epror ligjin është shprehur Rama, duke kërkuar bashkëpunim sa më korrekt me komisionet zgjedhore dhe monitoruesit në zgjedhje.

Luan Rama:- “Çdo punonjës policie që nuk e ka të qartë dhe që në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore në fuqi, në kundërshtim me urdhrat dhe udhëzimet e dhëna, do të shfaqet si tifoz, apo për të ndikuar mbi cilindo qytetarë, në funksion të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhjeve, keni autoritet të plotë menjëherë të bëni pezullimin e tij nga detyra dhe drejtori i përgjithshëm ka marrë urdhër që ai njeri të mos punojë më në policinë e shtetit”.

Ministri i Rendit ka kërkuar gjithashtu masa sigurie dhe për kufirin, portet dhe aeroportin e vendit. Për çdo lloj problemi duhet njoftuar menjëherë prokuroria, ka theksuar ministri për krerët e policisë në ministri në rrethe./tvklan.al