Qendra Spitalore Universitare prej disa muajsh vuan mungesën e medikamenteve të ndryshme e në këtë mënyrë të gjithë pacientët drejtohen në farmacitë private për të blerë ato ilaçe që duhet t’i merrnin falas në spital.
Këtë mungesë të theksuar të barnave në Qendrën Spitalore Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ua faturon abuzimeve të mjekëve.
Nard Ndoka: “Kemi pasur raste abuzimesh nga mjekë, të cilët medikamentet e spitalit i kanë drejtuar dhe në klinika private. Ka edhe mjekë që i orientojnë pacientët drejt farmacive private.”
Ndërsa mjekët nga ana e tyre akuzojnë Ministrinë e Shëndetësisë se po vonojnë tenderët për ilaçet ministri Ndoka e kalon topin në anën tjetër duke fajësuar burokracinë e procedurave të tenderimit.
Nard Ndoka: “Nga një neglizhencë e një zyrtari të Agjencisë së Prokurimeve Publike ose duke mos e ditur rëndësinë shpeshherë na kanë krijuar probleme në sistemin tonë shëndetësor procedura të tilla. Unë gjykoj tashmë se kjo është një situatë e tejkaluar. Procedurat kanë filluar. Për pak ditë të gjitha spitalet tona do të kenë medikamente”.
Përballë kësaj situate ku palët fajësojnë njëra-tjetrën vetëm një gjë mbetet mese e vërtet. Shumica e pacientëve që drejtohen për ndihmë mjekësore në spital duhet së pari të marrin me vete age dhe disa medikamente pasi spitali nuk i ka prej kohësh./tvklan.al