Maqedonia edhe 3 muaj nuk do të ketë ambasadë të veten në Prishtinë paralajmëroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshovski.
Një paralajmërim të tillë Milloshovski i bëri pas takimit me kolegun e tij kosovar Skënder Hyseni, duke thënë se shkak për këtë zvarritje janë procedurat e komplikuara kosovare për hapjen e të ambasadave.
Antonio Milloshovski: “Procedurat kosovare për hapje të ambasadës janë më të komplikuara, por pas vendimit të qeverisë së republikës së Maqedonisë do të fillojë proceduara për hapjen e ambasadës së parë të shtetit në Prishtinë dhe për emërimin e ambasadorit të parë të Maqedonisë në Kosovë.”
Ministri Hyseni me këtë rast e kë përshëndetur edhe përfundimin e paradokohshëm të procesit të demarkacionit të kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Skënder Hyseni: “Puna e demarkacionit të kufirit është punë e përfunduar, të gjithë do të zhdëmtohen nëse rastësisht ndonjë familje apo … është dëmtuar, kjo çështje është e zgjidhur, është e zgjidhur mirë.”
Vizita e ministrit Hyseni është vizita e parë në Maqedoni e një funksionari të lartë kosovar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Burimet qeveritare në Shkup paralajmërojnë se së shpejti do të realizohet vizitë kthyese e ministrit maqedonas Antonio Milloshovski në Prishtinë, kurse deri në fund të muajit nëntor paralajmërojnë edhe realizim të një vizite në Kosovë të presidentit maqedonas, George Ivanov.
Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu